Me kalimin e viteve, lëkura jonë pëson ndryshime të mëdha. Proceset natyrore të shkaktuara nga plakja nuk janë të vetmet që ndikojnë në ndryshimin e pamjes sonë. Lëkura, duke qenë organi ynë më i madh, përfaqëson edhe mbështjellësin mbrojtës midis trupit tonë dhe botës së jashtme, ndaj është krejt normale të presim dhe të përballemi me shenja të dukshme që vitet lënë pas.
Hiperpigmentimi është një term që lidhet me ndryshimin e ngjyrës së lëkurës të shkaktuar nga faktorë të ndryshëm dhe më së shpeshti lidhet me plakjen. Një përkufizim i thjeshtë i kësaj gjendjeje të lëkurës është prodhimi i tepërt i melaninës në zona të caktuara, të cilat janë më të errëta krahasuar me pjesën tjetër të lëkurës. Ai mund të ketë forma, madhësi dhe ngjyra të ndryshme, duke variuar nga kafe e çelët deri në të zezë. Ndërsa njollat e vogla (freckles) janë një zbukurim natyror i lëkurës, njollat e shkaktuara nga hiperpigmentimi shfaqen si pasojë e faktorëve të caktuar.
Faktorët e rrezikut dhe shkaqet e hiperpigmentimit mund të jenë të shumtë: nga ekspozimi i tepruar ndaj diellit, shfaqja e akneve, ekzema, psoriaza, dermatiti, sëmundjet autoimune, çrregullimet e metabolizmit, përdorimi i nikotinës, ushqyerja e dobët, dëmtimet e lëkurës, gjenetika, madje edhe disa medikamente që shkaktojnë rritje të ndjeshmërisë ndaj dritës.
Hiperpigmentimi shfaqet në disa forma, nga të cilat më të shpeshtat janë njollat pigmentuese, melazma dhe hiperpigmentimi pas inflamacionit.
Njollat pigmentuese njihen si njolla të moshës dhe zakonisht shfaqen në pjesët e trupit që janë më të ekspozuara ndaj diellit, si duart, pëllëmbët dhe fytyra. Në këtë rast bëhet fjalë për një reagim natyror të lëkurës ndaj procesit të plakjes, i cili përshpejtohet nga ekspozimi ndaj rrezeve UV dhe stresi oksidativ. Kur lëkura ekspozohet ndaj dritës së diellit, ajo prodhon pigmentin melaninë për t’u mbrojtur. Në rastin e prodhimit të melaninës në përqendrime të larta, pigmenti grumbullohet dhe kjo manifestohet si njollë në lëkurë.
Melazma zakonisht shfaqet gjatë shtatzënisë. Ajo lidhet me ndryshimet hormonale dhe shfaqet në formë njollash në fytyrë ose në duar.
Hiperpigmentimi pas inflamacionit, siç e tregon edhe vetë emri, shfaqet kur ndodh ndryshim i ngjyrës së lëkurës pas shërimit të një dëmtimi, si prerje, djegie apo ekspozim ndaj kimikateve. Është një dukuri e shpeshtë te personat që vuajnë nga aknet, ekzema ose psoriaza.
Hiperpigmentimi nuk është i rrezikshëm, por në momentin që shfaqet, nuk do të zbehet pa trajtim adekuat. Përveç trajtimeve dermatologjike me piling kimik dhe terapi me lazer, ekziston edhe një mënyrë tjetër zgjidhjeje që lidhet me rutinën e kujdesit për lëkurën. Ajo përfshin përdorimin e produkteve dermatologjike të destinuara për zvogëlimin e njollave pigmentuese, të cilat njëkohësisht i ofrojnë lëkurës hidratim intensiv dhe kujdes.
Disa nga përbërësit që lëkura e prekur nga hiperpigmentimi i pëlqen janë ekstrakti i filizave të kres sallatës, acidi salicilik në formë të kapsuluar dhe acidet frutore. Është treguar se këta përbërës veprojnë drejtpërdrejt mbi njollat e errëta pa zbardhur lëkurën përreth, rregullojnë hiperprodhimin e melaninës, përmirësojnë strukturën e lëkurës, nxisin rigjenerimin e qelizave dhe heqin butësisht shtresën e vjetër sipërfaqësore të lëkurës, duke siguruar një pamje të pastër dhe të njëtrajtshme.
Nuk keni më pse ta shmangni diellin nga frika e shfaqjes së njollave, duke ditur se zgjidhja është pranë jush. Me përbërës të kombinuar mirë dhe një rutinë të rregullt të kujdesit për lëkurën, do t’i riktheni lëkurës suaj pamjen e shndritshme dhe, më e rëndësishmja, shëndetin.
Për një lëkurë të kuruar dhe të bukur, pa njolla pigmentuese!